FOKUS GRUP ME QYTETARET E NJESISE ADMINISTRATIVE NR. 5

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), në kuadër të hartimit të raportit të vitit të tretë monitorues për Kontratën Sociale në Bashkinë Tiranë, organizoi sot një takim me banorët e njësisë administrative nr. 5. Së bashku diskutuam mbi punën e Bashkisë Tiranë dhe problematikat e ndeshura nga qytetarët në këtë njësi.

Banorët vlerësojnë se duhen shtuar kopshtet dhe çerdhet, sidomos te zona e rrugës “Medar Shtylla” ku ka shumë popullsi. Ndër problematikat e tjera të ngritura janë mungesa e bibliotekës së lagjes; nevoja për të rregulluar sistemin e ujërave të zeza në rrugën “Vaso Pasha” ku janë bërë tubacionet e reja por nuk është bërë lidhja me pallatet dhe nuk janë vënë në punë; nevoja për të rregulluar kanalizimet në rrugën “Viktor Eftimiu”; mungesa e dezinfektimit të koshave të mbeturinave.

Qytetarët kërkojnë gjithashtu që Bashkia të informojë dhe të pyesë ndërlidhësit kur bën investime dhe punime, pasi ata kanë kontaktin e parë me banorët.

Të gjitha gjetjet nga këto takime do të pasqyrohen në raportin e vitit të tretë monitorues ku do të analizohet puna e Bashkisë Tiranë për përmbushjen e Kontratës Sociale.