Forumi Publik për prezantimin e Kontratës Sociale, Bashkia Vau i Dejës

Është mbajtur sot në Bashkinë Vau i Dejës Forumi Publik për prezantimin e Kontratës Sociale. Forumi u organizua nga Shoqata “Qendra e Gruas Hapa të lehtë”, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Njësia Administrative Laç-Vau i Dejës, Hajmel si dhe Njësive të tjera Administrative të kësaj Bashkie. Bashkia Vau Dejës u përfaqësua nga prezenca e nënkryetares të Bashkisë znj. Lestina Ndoja dhe Drejtuesja e Shërbimeve Sociale pranë kësaj bashkie znj. Cuka Babani. Takimi u moderua nga përfaqësuesja e organizates “Hapa të Lehtë” znj.Denada Shpuza , e cila i bëri një përmbledhje të gjithë procesit të ndërmarrë për hartimin e Kontratës Sociale dhe prioritet e dala nga takimet me përfaqësues të komunitetit. U prezantuan çështjet kryesore sipas fushave përkatëse dhe më pas diskutimi u ndal në 8 prioritetet kryesore, mbi të cilat u hartua edhe Kontrata Sociale e Bashkisë Vau Dejës. Nënkryetarja e Bashkisë informoi pjesëmarrësit mbi iniciativat dhe investimet e ndërmarra deri me sot, duke diskutuar për investime konkrete, planet e Bashkisë për dy vitet e ardhshme në raport me pikat e Kontratës Sociale si dhe sfidat që ka Bashkia për realizimin e transportit publik. Më pas, ajo ia la vendin për diskutim znj. Cuka Babani, e cila prezantoi gjithë punën e bërë nga Bashkia në lidhje me shërbimet sociale, që nga mënyra e ristrukturimit të kësaj drejtorie deri tek shërbimet e ngritura, strukturat dhe puna e bërë për hartimin e instrumentave të nevojshëm për realizimin e këtyre shërbimeve. Ajo foli mbi sfidat që ka si Bashki, me një territor të gjerë por dhe buxhet relativisht të vogël. Ajo u ndal në vëmendjen që Bashkia i ka kushtuar viktimave të dhunës dhe punës që po bëhet në këtë drejtim për viktimat dhe shtresat vulnerabël. Ajo u shpreh se Bashkia po vlerëson mundësinë e aplikimit për fonde pranë fondit social të Ministrisë, për ngritjen e një qendre për fëmijë/persona me aftësi ndryshe. Takimi u shoqërua nga pyetje dhe komente të ndërsjella midis të pranishmëve në sallë dhe përfaqësuesve të Bashkisë. Takimi u transmetua direkt në live stream, nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook të Qendra e Gruas “Hapa të Lehtë” dhe POP – Përballja e Ofertave Politike.

Qendra e Gruas “Hapa të Lehtë” do të ketë në monitorim të vazhdueshëm punën e Bashkisë dhe vendimeve të Këshillit Bashkiak për plotësimin e Kontratës Sociale të qytetarëve.

Falenderojmë për mbështetjen Olof Palme International Center – Albania Programme Olof Palme International Center National Endowment for Democracy #RrjetiPOP#KontrataSociale#ForumPublik#Debat#Transparency