Gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile sfidojnë korrupsionin në Shqipëri
SIDA ka botuar një artikull për punën e gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, ku ndër të tjera është paraqitur edhe puna e Rrjetit POP. Artikulli thekson rolin e POP-it në forcimin e demokracisë vendore, rritjen e transparencës dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Çfarë shkruan SIDA për POP Albania:
“Ky nuk është vetëm një punë. Na shtyn dashuria.”
Dallohet qartë që Esmeralda Hoxha ka pasion për të përmirësuar demokracinë vendore në Shqipëri. Ajo është koordinatore e POP Albania, një rrjet prej dhjetë organizatash që punon për pjesëmarrjen e qytetarëve në nivel vendor. Rrjeti është aktiv në dhjetë bashki, ku ka arritur të lidhë zërat lokalë me debatet kombëtare përmes forumeve publike.
Puna e POP-it varion nga nxitja e bashkive për të publikuar procesverbalet e këshillave bashkiake në faqet zyrtare, deri tek organizimi i debateve politike mes kandidatëve vendorë – një koncept ende i pazakontë në Shqipëri.
Edhe sot ndihet fakti që vendi është një demokraci e re dhe pa përvojë. Përmes rrjeteve si POP, gjithnjë e më shumë qytetarë po bëhen të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe për atë që mund të kërkojnë nga institucionet. Hap pas hapi, kjo po krijon një kulturë përgjegjshmërie dhe pjesëmarrjeje që mund të formatojë të ardhmen demokratike të vendit.
– “Një nga zgjidhjet që përdorim është të bëjmë intervista në grupe të vogla,” thotë Esmeralda. “Kështu njerëzit ndihen më të sigurt për të ngritur zërin dhe për të treguar se çfarë u nevojitet.”
POP mbledh propozimet e qytetarëve dhe, mbi bazën e tyre, harton kontrata sociale me bashkitë ku operon. Një shembull i sjellë në artikull lidhet me papunësinë e grave në një bashki të vogël. Gjatë konsultimeve, qytetarët theksuan se mungesa e ndriçimit rrugor ishte arsyeja pse gratë nuk pranonin punë ku duhej të ktheheshin vonë natën. Pas përfshirjes së këtij problemi në kontratën sociale dhe nën trysninë e POP-it, bashkia mori masa, duke vendosur ndriçim të ri publik dhe duke rritur sigurinë. Kjo u mundësoi më shumë grave të punonin edhe në orët e mbrëmjes.
Përmirëson transportin publik
Deri në vitin 2022, stacionet e autobusëve në kryeqytetin Tiranë ishin vetëm të shënuara thjesht, pa informacion mbi linjat apo destinacionet, gjë që e bënte të vështirë për udhëtarët e rinj ose ata të paeksperiencë. POP Albania, si organizatë partnere e SIDA-s, shtyu përpara një propozim qytetar për t’i zëvendësuar me tabela që tregojnë stacionin, destinacionin dhe orarin. Bashkia e Tiranës ka filluar tashmë të instalojë tabelat e reja.
Artikullin e plotë në gjuhën suedeze mund ta lexoni këtu: https://www.sida.se/sida-i-varlden/lander-och-regioner/albanien/journalister-och-grasrotsrorelser-bekampar-korruption-i-albanien