Fuqizimi i të rinjve përmes kuptimit të proceseve zgjedhore
20.10.2025 Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës u zhvillua diskutimi “Democracy Talks: Kuptimi i Proceseve Zgjedhore”, pjesë e nismës për edukimin demokratik të të rinjve, e organizuar nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”.
Studentët patën mundësinë të thelloheshin në rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dallimet midis zgjedhjeve parlamentare dhe vendore, si dhe rolin që luajnë qytetarët, partitë dhe kandidatët në ndërtimin e një demokracie funksionale.
Diskutimi, i moderuar nga Prof. Blendi Ceka, theksoi nevojën për pjesëmarrje aktive të të rinjve në jetën politike dhe rrezikun që sjell mungesa e përfshirjes në vendimmarrje.
Në përfundim, pjesëmarrësit ndanë ide konkrete për nxitjen e kulturës së votës, transparencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve zgjedhore.





