Prezantimi i Raportit Monitorues te Kontrates Sociale 2021-2023 dhe Kontrata Sociale 2023-2027 POP Vau i Dejës
Në datën 15 Shkurt 2024, një takim me përfaqësimin e qytetarëve, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe aktivistë të shoqërisë civile u mbajt në ambientet e Këshillit Bashkiak të Vau të Dejës. Organizatorja e këtij takimi ishte Qendra e Gruas “Hapa të Lehtë”, e cila synonte prezantimin e raportit të monitorimit të Kontratës Sociale për periudhën 2022-2023 dhe shqyrtimin e sfidave dhe sugjerimeve për të ardhmen.
Pjesëmarrja ishte gjithepërfshirëse nga komuniteti lokal, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare. Diskutimet u përqëndruan në adresimin e prioriteteve të kontratës sociale dhe identifikimin e sfidave të momentit për Bashkinë Vau Dejës.
Në fjalën e tij, z. Ervis Shimaj, Kryetar i Këshillit Bashkiak, theksoi rëndësinë e nismës POP dhe rolin e saj në promovimin e demokracisë lokale dhe organizimin e komunitetit. Kerkesa për ngritjen e Keshillave Vendore Rinore, e paraqitur nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, u përshëndet me entuziazëm dhe u vlerësua si një hap drejt përmbushjes së qëllimeve të përcaktuara.
Nëpërmjet diskutimeve të hapura dhe prezantimeve të monitorimit për prioritetet e kontratës sociale, u evidentuan sfidat aktuale dhe nevojat për përmirësime në disa fusha kyçe. Pjesëmarrësit shprehen shqetësimin e tyre për mungesën e vullnetit pozitiv nga disa zyrtarë për të zbatuar prioritetet e kontratës sociale brenda afateve të përcaktuara. Problemet në infrastrukturën urbane, veshja e fasadave dhe izolimi i tarracave të pallateve, transporti publik, përmirësimi i cilësisë së ujit të pijshëm dhe iniciativat për nxitjen e punësimit tek të rinjtë e gratë u identifikuan si sfida kryesore për Bashkinë.
Takimi përfundoi me prezantimin e kontratës sociale për periudhën 2023-2027 dhe ftesën për pjesëmarrësit që të ndjekin rrjetin POP në mediat sociale dhe të angazhohen në monitorimin e prioriteteve të tyre në bashkëpunim me Bashkinë dhe Këshillin Bashkiak të Vau Dejës. Ky takim shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të jetës komunitare dhe krijimit të një bashkëpunimi të fortë mes autoriteteve lokale dhe qytetarëve. Bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe dialogu i hapur do të jenë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të arritur qëllimet e përbashkëta për mirëqenien e qytetarëve të Vau Dejësit.