Forumi Publik POP Vlorë 2025
Më 28 prill 2025, në ambientet e Pallatit të Kulturës “Labëria” në qytetin e Vlorës, u zhvillua Forumi Publik “Përballja e Ofertave Politike”, i organizuar nga Qendra Rinore e Vlorës në bashkëpunim me Rrjetin POP. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe kishte për qëllim të nxiste transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen aktive të qytetarëve në procesin zgjedhor.
Në forum morën pjesë gjithsej 54 qytetarë, përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj, aktivistë, gazetarë dhe vëzhgues nga OSCE/ODIHR. Qytetarët patën mundësinë të dëgjojnë drejtpërdrejt kandidatët për deputetë dhe të angazhohen në një dialog të hapur mbi çështje që prekin jetën dhe zhvillimin e komunitetit.
Kandidatët pjesëmarrës:
Në forum morën pjesë përfaqësues të gjashtë subjekteve politike:
- Nada Daullja – Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
- Ilir Zoto – Lëvizja Bashkë
- Gjergji Nika – Koalicioni Euroatlantik
- Ornela Hila – Nisma “Shqipëria Bëhet”
- Luçiano Binaj – Koalicioni Djathtas për Zhvillim
- Mallëngjim Skënderaj – Partia “Mundësia”
Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate, të cilat ishin ftuar zyrtarisht, munguan në forum për shkak të anulimit të pjesëmarrjes në momentin e fundit. Kjo shkaktoi reagime dhe diskutime mes pjesëmarrësve mbi përgjegjshmërinë e subjekteve politike për të qenë të pranishme në një proces publik të tillë.
Temat e diskutuara dhe mesazhet kryesore:
Gjatë forumit, kandidatët prezantuan platformat e tyre politike, duke u fokusuar në çështje kyçe për Qarkun e Vlorës, si: punësimi, shërbimet publike, mjedisi, arsimi dhe lufta kundër korrupsionit. Gjatë sesionit të pyetjeve nga qytetarët, u ngritën shqetësime lidhur me situatën ekonomike, funksionimin e demokracisë, pensionet, menaxhimin e mjedisit dhe sigurinë publike.
Ky forum shërbeu si një hapësirë e rëndësishme për krahasimin e drejtpërdrejtë të programeve zgjedhore, duke theksuar nevojën për dialog të vazhdueshëm mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre politikë. Mungesa e disa partive kryesore vuri në dukje sfidat që ende mbeten për një përfaqësim të plotë në proceset demokratike.
Forumi u transmetua drejtpërdrejt në mediat sociale të Rrjetit POP, Vlora News dhe VYC dhe mund të rishihet duke ndjekur këtë link: https://youtu.be/NEbsa51nt60?si=7fXlj7bzg9tH0nIt
Zgjidh me mendje, jo me zakon!
Zgjedhjet janë më 11 maj – voto me dije, jo me dyshim!