Forumi Publik POP Durrës 2025
Më 28 prill 2025, në ambientet e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, u zhvillua Forumi Publik “Përballja e Ofertave Politike”, një iniciativë e Rrjetit POP në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillimin e Shoqërisë Civile – CSDC Durrës. Ky aktivitet kishte për qëllim të promovonte transparencën dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në forum morën pjesë rreth 97 qytetarë, përfshirë të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë të angazhuar, të cilët patën mundësinë të dëgjonin, të diskutonin dhe të ndërvepronin drejtpërdrejt me kandidatët për deputetë në qarkun e Durrësit.
Kandidatët pjesëmarrës:
Në forum morën pjesë kandidatët:
- Nazmi Shuli – Koalicioni Euroatlantik
- Redinela Beqiraj – Koalicioni “Shqipëria Bëhet”
- Rezart Kthupi – Koalicioni “Djathtas për Ndryshim”
- Jonida Çeçe – Partia “Mundësia”
- Artan Kaçani – Lëvizja “Bashkë”
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, megjithëse të ftuara zyrtarisht, nuk morën pjesë në forum, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në përfaqësimin e spektrit politik dhe duke shkaktuar reagime nga të pranishmit mbi mungesën e angazhimit të partive kryesore në dialog me qytetarët.
Temat e diskutuara dhe shqetësimet e qytetarëve:
Diskutimet u fokusuan në një sërë temash me rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve të Durrësit dhe për zhvillimin afatgjatë të qarkut. Ndër temat më të theksuara ishin:
- situata në sektorin e bujqësisë dhe mungesa e subvencioneve në zonat rurale,
- procesi i legalizimit të banesave të ndërtuara para shumë vitesh dhe problemet me afatet e vonuara,
- emigrimi i të rinjve dhe mungesa e perspektivës për arsim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike,
- cilësia e shërbimeve në sistemin shëndetësor publik,
- pensionet dhe kujdesi për moshën e tretë,
- dhe korrupsioni në sektorë të ndryshëm të administratës dhe jetës publike.
Qytetarët patën një rol aktiv në forum, duke ngritur shqetësime reale dhe duke kërkuar angazhime konkrete nga kandidatët. Pavarësisht zhgënjimit të shprehur ndaj disa institucioneve, forumi u përshkua edhe nga shpresë e qartë për ndryshim dhe përmirësim përmes pjesëmarrjes qytetare.
Ky forum shërbeu si një hapësirë e vlefshme për ndërveprim, llogaridhënie dhe krahasim të drejtpërdrejtë të ofertave politike, duke promovuar një qasje më të ndjeshme dhe më të përgjegjshme nga përfaqësuesit politikë ndaj sfidave konkrete të komunitetit lokal.
Forumi u transmetua drejtpërdrejt në mediat sociale të Rrjetit POP dhe CSDC dhe mund të rishihet duke ndjekur këtë link: https://youtu.be/3y9tusVMQUo?si=lL16EYor0AEdchDc
Zgjidh me mendje, jo me zakon!
Zgjedhjet janë më 11 maj – voto me dije, jo me dyshim!
