Demokracia në veprim: më shumë se vota
Në kontekstin shqiptar, shpesh demokracia perceptohet si një ngjarje periodike – zgjedhjet – por e vërteta është se demokracia është një proces i përhershëm që kërkon pjesëmarrje të vazhdueshme të qytetarëve në vendimmarrje dhe kontroll mbi pushtetin. Proceset demokratike janë ato mekanizma konkrete përmes të cilëve zëri i qytetarit përkthehet në ndikim politik dhe institucional.
Proceset demokratike në praktikën shqiptare
- Zgjedhjet (vendore dhe qendrore)
– Janë themeli i përfaqësimit demokratik. Por sfidat në Shqipëri përfshijnë: pjesëmarrje të ulët, mosbesim në proces, mungesë informacioni të qartë mbi kandidatët dhe programet, votim klientelist, etj. - Konsultimet publike
– Ligjërisht çdo institucion duhet të zhvillojë konsultime për ligje, vendime, apo plane që ndikojnë qytetarët. Në praktikë, shumë konsultime janë formale ose mbahen pa njoftim të gjerë, çka kufizon pjesëmarrjen reale. - Propozimet qytetare dhe peticionet
– Qytetarët kanë të drejtë të nisin nisma ligjore ose peticione për ndryshime politike apo administrative. Shumë pak e dinë që kjo është një e drejtë funksionale, madje e mbështetur nga Kushtetuta. - Referendumet
– Edhe pse të rralla në Shqipëri, janë mjete që garantojnë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë për çështje që ndikojnë komunitetet në mënyrë të menjëhershme. - Takimet publike dhe dëgjesat komunitare
– Një nga format më të drejtpërdrejta për dialog mes qytetarëve dhe përfaqësuesve lokalë. Problemi qëndron në organizim jo gjithëpërfshirës dhe mungesë raportimi pas takimit. - Monitorimi dhe raportimi qytetar
– Roli i qytetarit nuk përfundon me pjesëmarrjen – ai vazhdon me ndjekjen e zbatimit të vendimeve. Platforma si “Demokracia dhe Ti” i japin qytetarëve mjete për të kërkuar llogari.
A është qytetari shqiptar pjesë e këtyre proceseve?
Realiteti tregon se pjesëmarrja e qytetarëve shqiptarë në këto procese është e ulët, jo për mungesë interesi, por për shkak të mungesës së informacionit, besimit dhe përfshirjes së strukturuar. Shumë nuk dinë ku, kur dhe si të përfshihen. Kjo bën që demokracia të rrezikojë të mbetet në letër dhe jo në praktikë.
Roli i “Demokracia dhe Ti” në aktivizimin qytetar
Kjo platformë edukative synon të:
- Zbërthejë në gjuhë të thjeshtë çdo proces demokratik dhe mënyrën e pjesëmarrjes
- Ofron udhëzime praktike: si merr pjesë në një dëgjesë, si dërgon një koment në konsultim publik, si harton një peticion, etj.
- Frymëzon qytetarët të mos presin që vendimmarrja të ndodhë mbi ta, por të angazhohen për të ndodhur me ta.