“Epoka e Re” e pranishme në Konsultimet Publike për Buxhetin në Bashkinë Fier
Bashkia Fier ka përfunduar turin e Konsultimeve Publike për Buxhetin e vitit të ardhshëm, Paketën Fiskale dhe Projekt-Buxhetin Afatmesëm 2024-2026.
Kolegët e Epoka e Re nuk ishin vetëm pjesëmarrës, por edhe aktiv në mendimdhënie nëpërmjet qytetarëve dhe të rinjve që ndoqën hap pas hapi këtë tur.
Nga këto takime dhe diskutimet e shumta të bëra me banorët e Cakranit, Levanit, Frakullës, Libofshës, Dërmënasit, Portëzës, Topojës, Mbrostarit, Qendrës dhe qytetit Fier, disa nga problematikat që përfshijnë pothuajse të gjitha njësitë administrative dhe qytetin ishin: rehabilitim i mjediseve sportive të shkollave, rikonstruksion i rrugës së plazhit, sistemim i rrugëve në zonat rurale dhe veshje me ndriçim, përmirësim I furnizimit me ujë dhe rritja e cilësisë së tij, rritje të buxhetit për të rinjtë dhe të ndarë nga aktivitetet e tjera të planifikuara nga bashkia, përmirësim i sinjalistikës rrugore kryesisht në qendrat e banuara dhe institucionet arsimore, vendosje e koshave të mbetjeve në bulevardin e qytetit, vendosje e stacioneve të autobusëve me elementët e nevojshëm në të gjithë territorin e bashkisë, e cila nuk është vetëm standard, por edhe siguri për qytetarët.
Epoka e Re falenderon rreth 300 qytetarët që u bënë pjesë e këtyre konsultimeve publike dhe diskutuan mbi problematikat në zonën e tyre, gjithashtu inkurajon që këto pjesëmarrje të mos mbesin vetëm në kuadër të një turi konsultimesh që zhvillohet vetëm për buxhete e projekte, por duhet të jenë shembull i një aktivizimi më të gjerë qytetar për të orientuar investimet atje ku ata kanë nevojë.