Fokus Grup – Kulle/Sukth

31.10.2022

Takimi u zhvillua në fshatin Kullë, Njësia Administrative Sukth. Gjithsej ishin 9 pjesëmarrës, 7 femra dhe 2 meshkuj. Banorët shprehën mendimet e tyre në lidhje me prioritetet ekzistuese dhe sugjerimet për të ardhmen.

Sipas tyre, komunikimi reciprok me Bashkinë Durrës dhe transparenca në vendimmarrje ka nevojë për përmirësim. Duke qenë zone rurale, aksesueshmëria e tyre në ëeb dhe rrjete sociale nuk është gjithmonë e mundur, shto këtu dhe faktorin moshë apo njohuritë në fushën e teknologjisë. Nuk raportojnë të ketë shkuar ndonjëherë ndonjë përfaqësues i Bashkisë apo person kontakti, për të dëgjuar problematikat e tyre apo dhe për t’i informuar në lidhje me punimet që u bënë së fundmi në zonën e tyre.

Numri i koshave të mbeturinave ka mbetur i njëjtë, i pamjaftueshëm në raport me popullsinë e zonës, duke sjellë tejmbushje të tyre ndër të tjera dhe ndotje të mjedisit. Një banor i fshatit Borç, tregon se në zonën e tij përveçse numrit të pamjaftueshëm, as nuk mblidhen rregullisht. Këtë pikë banorët e konsiderojnë aspak të plotësuar. E njëjta gjë vlen dhe për sistemet e kanalizimeve. Nuk është bërë asnjë ndërhyrje përmirësuese apo rehabilitim i kanaleve të ujërave të zeza. Bllokimi i kanaleve kulluese dhe vaditëse, sjell si pasojë që në raste të rreshjeve të shiut, të ketë përmbytje në zonë, sidomos nëpër lagje dhe rrugë dytësore. Këtu del në pah problematika tjetër, ajo e mosshtrimit të rrugëve dytësore, i cili mbetet një prioritet aspak i plotësuar, pavarësisht rehabilitimit të rrugës kryesore.

Hapësirat e gjelbërta që shërbejnë si hapësira pushimi dhe argëtimi për çdo grupmoshë, nuk janë ekzistente në fshatin Kullë dhe zonat përreth, megjithëse shumë të nevojshme, sidomos për fëmijët. Për sa i përket transportit publik, është sërish një ndër prioritetet aspak të plotësuara. Stacionet e linjave interurbane janë inekzistente. Vetëm banorët e zonës i dinë vendqëndrimet e autobuzave. Përderisa sinjalistika mungon, rrjedhimisht nuk ka as orare të afishuara, me përjashtim të furgonave apo autobuzave që i kanë oraret e nisjes te xhami i përparmë i mjeteve të tyre.