FORUMI PUBLIK ME KANDIDATEN PËR KRYETARE BASHKIE Znj. MAJLINDA ANGONI – PARTIA SOCIALISTE

Në datë 6 Mars 2022 në Bashkinë Shkodër zhvillohen zgjedhjet e pjesësshme lokale për Kryetar Bashkie. Gara e 6 Marsit zhvillohet mes tre kandidaturave; znj.Majlinda Angoni nga Partia Socialiste, z.Bardh Spahia nga Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, z.Xhemal Bushati nga Partia Demokratike. Në këtë kuadër Rrjeti POP ka ftuar zyrtarisht të tre kandidatët që të bëhen pjesë e forumeve publike, për t’ju dhënë mundësinë që të shpalosin programet e tyre por edhe për të diskutuar Kontratën Sociale.

Gjatë punës në terren organizata mbledh kërkesat dhe nevojat të qytetarëve në zonat rurale dhe urbane dhe harton raport vjetor i cili konsultohet me përfaqësuesit lokalë. Në prag të zgjedhjeve lokale kërkesat e qytetarëve kthehen në prioritete për kandidatët për kryetarë bashkie.  Këto priorite përbëjnë Kontratën Sociale.

Në këtë kuadër, “Intelektualët e Rinj, Shpresë” si pjesë e nismës POP – Perballja e Ofertave Politike,  ka zhvilluar Forumin Publik me kandidatë për Kryetar Bashkie, ditën e premte me datë 25 Shkurt 2022, pranë ambienteve të Hotel Rozafa në Shkodër. Ftesa për të marrë pjesë në këtë takim u pranua nga kandidatia për Kryetare Bashkie znj. Majlinda Angoni nga Partia Socialiste. Takimi u zhvillua në moderimin e  znj.Mirela Arqimandriti nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim.

Në këtë forum ishin të pranishëm të rinjtë e qytetit të Shkodrës, organizatat e shoqërisë civile si dhe mediat. Po ashtu, forumi u zhvillua në format hibrid nëpërmjet platformës Zoom, ku u ndoq nga përfaqësues të Ambasadës Suedeze, përfaqësues të Olof Palme Center, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të rinjtë, etj.

Fillimisht, kandidatia znj.Angoni prezantoi programin e saj ku në prioritetet kryesore ishte rinia, shërbimet publike, infrastruktura e qytetit, zhvillimi social dhe kulturor. Si pikë të parë të programit për rininë znj.Angoni u shpreh se do të themelojë  Këshillin Vendor Rinor pranë Bashkisë Shkodër, ku zëri i të rinjve do të dëgjohet dhe do të jetë më afër politikave vendimmarrëse. Një pikë e rëndësishme është mbështetja e familjeve të reja me bonuse qeraje apo kredi të buta, duke iu dhënë një mundësi që jetën ta zhvillojnë në qytetin e tyre me një mbështetje të vogël.

Më pas, përfaqësuesja e IRSH znj.Ganimete Perseku ka prezantuar para kandidates dhe pjesëmarrësve prioritetet e Kontratës Sociale në Bashkinë Shkodër.  Kontrata sociale përfshin prioritetet e dala nga komunitetit pas një procesi konsultimi, ku çështjet më të rëndësishme janë:

Prioritet 1: Krijimi i incentivave mbështetëse nëpërmjet programeve të specializuara për mbështetje financiare për startup-et rinore.

Në lidhje me këtë prioritet znj.Angoni u shpreh se, do të krijohen lehtësi fiskale për zhvillimin e bizneseve tek të rinjtë, në veçanti start-upet apo idetë inovatore, ku përveç këtyre lehtësirave do të kemi edhe një buxhet të veçantë për zhvillimin e këtyre ideve.

Prioritet 2

  • Mirëmbajtja e shkollave egzistuese dhe plotësimi me mjete didaktike. Rikonstruksion i kopshteve dhe i çerdheve egzistuese sipas nevojave të identifikuara.
  • Nevoja për ndërhyrje dhe mirëmbajtje është theksuar kryesisht në shkollat në njësitë administrative si në Dajç, Bërdicë, Postribë.
  • Mungesa e çerdhes në njësinë administrative Postribë si dhe ndërtesë specifike për kopshtin në Gurin e Zi.

Sipas kandidates, këto pika janë pjesë e programit të përgjithshëm të znj.Angoni, sepse është baza për një administrator për të krijuar kushtet më optimale duke mirëmbajtur infrastrukturën në shkolla, kopshte apo çerdhe.

Prioritet 3

  • Vijimi i investimeve dhe ndërhyrjeve që përmirësojnë infrastrukturën
  • Në lagjet e qytetit Shkodër – Rregullim dhe mirëmbajtje e trotuarve si dhe vendosje e sinjalistikës rrugore.
  • Investime në fusha sporti, ambiente rekreative dhe të korsive për lëvizjen me biçikletë.

Për këtë prioritet znj.Angoni u shpreh se situata infrastrukturore e qytetit është në një gjendje të pazakontë duke filluar që nga rrugët, trotuaret, kanalizimet, parkimi, korsia e biçikletave, terminali etj, prandaj ka shumë ndërhyrje që duhet të kryhen. Mungojnë hapësirat për të cilat rinia ka nevojë, mungojnë fushat sportive, infrastruktura shkollave prandaj në programin tim pikë kryesore është promovimi i sportit si dhe prioritetet ndërtimi i palestrave dhe fushave sportive sidomos në shkolla.

Prioritet 4: Zgjerimi i shërbimeve të kujdesit shoqëror për individët në nevojë

  • Në lagjet e qytetit Shkodër zgjerim i shërbimeve egzistuese dhe lehtësira si karta e studentit dhe incentiva të tjera për studentët.
  • Dajç. Qendër multifunksionale rekreative në qendër të zonës që të jetë e aksesueshme për të gjithë individët në nevojë, pasi është e paaksesueshme për shkak të largësisë.
  • Bërdicë. Ngritje e një qendre komunitare multifunksionale, për të zgjeruar rrjetin e shërbimeve të individëve në nevojë

Ky prioritet është pjesë e programit, fillimisht duhet të krijohet regjistri për personat me aftësi ndryshe, sepse ka mungesa në shkolla në kopshte përsa i përket shërbimeve të kualifikuara. Gjithashtu, znj Angoni premtoi se do bëjnë funksionale kartën e studentit e cila sjell lehtësi financiare ndaj shërbimeve që i ofrohen studentit.

Prioritet 5: Organizimi i shërbimit të transportit në përputhje me nevojat e komuniteteve të njësive administrative.

Në lidhje me këtë prioritet znj.Angoni tha se kërkohen ndërhyrje të menjëhershme dhe është i domosdoshëm.

Në fund të takimit, znj.Angoni firmosi Kontratën Sociale me prioritetet e qytetarëve e cila merr përsipër që nëse do të fitojë garën në datë 6 Mars do të adresojë prioritetet e qytetarëve të Shkodrës.

Për të lexuar Kontratën Sociale të plotë, ju lutemi klikoni këtu