Forumi Publik POP Elbasan 2025
Forumi Publik në Elbasan – Përballja e Ofertave Politike për Zgjedhjet 2025
Forumi i zhvilluar më 17 prill në Elbasan, i organizuar nga Shoqata Tjetër Vizion dhe Rrjeti POP – Përballja e Ofertave Politike, ishte më shumë se një prezantim programesh: ishte një hapësirë thelbësore e dialogut të drejtpërdrejtë midis qytetarëve dhe kandidatëve, për të nxitur vendimmarrjen e informuar dhe përgjegjëse në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Kandidatët pjesëmarrës:
Klodiana Çapja (Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore)
Mivan Peci (Lëvizja Bashkë)
Migena Shyti Kapllani (Koalicioni Euroatlantik)
Sara Zekaj (Partia Mundësia)
Erjon Murataj (Partia Social Demokrate)
Çdo kandidat pati në dispozicion minutazhin e barabartë për të prezantuar platformën politike, duke u ndalur në çështje kyçe për qarkun Elbasan:
- Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, me theks në bujqësi, turizëm, zejtari dhe energji të rinovueshme
- Mbrojtja e mjedisit dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit
- Arsimi profesional dhe fuqizimi i të rinjve, për t’i lidhur me tregun e punës lokal
- Transparenca dhe lufta kundër korrupsionit, në nivel lokal dhe qendror
- Siguria publike dhe bashkëpunimi mes komunitetit dhe institucioneve të rendit
Diskutimet u shoqëruan me pyetje të drejtpërdrejta nga qytetarët, që prekën tema të ndjeshme dhe me interes të lartë, si:
- Mundësitë për të rinjtë pas përfundimit të studimeve në Shqipëri
- Përfitimet e qytetarëve nga integrimi në BE
- Planet konkrete për punësimin në sektorët bujqësorë e artizanal
- Masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Elbasan
- Politikat për përfshirjen e grave dhe vajzave në zonat rurale
- Transparenca financiare e partive gjatë fushatës zgjedhore
Të gjithë kandidatët sollën perspektivat e tyre politike dhe personale mbi këto çështje. Zhvillimi rural, mbështetja për gratë në sektorët e zejtarisë dhe agroturizmit, si dhe ndihma për bizneset e vogla, ishin ndër temat më të theksuara.
Debati më i nxehtë u zhvillua rreth procesit të integrimit europian, ku kandidatët e PD dhe PSD shprehën skepticizëm për përmbushjen e kritereve nga ana e Shqipërisë.
Pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e forumit si një hap domethënës drejt demokracisë pjesëmarrëse dhe debatit të hapur. Mungesa e disa forcave politike e kandidatëve të dy partive të ftuara, Partia Socialiste dhe Shqipëria Bëhet, u konsiderua si një rast i humbur për t’i dëgjuar të gjitha zërat dhe për të ndërtuar një kulturë debati konstruktiv. Kur forcat politike nuk zgjedhin të përballen me qytetarët në mënyrë publike, humbet një mundësi e vlefshme për dialog dhe për llogaridhënie. Ne besojmë se pjesëmarrja në forume të tilla është një detyrim demokratik dhe një shenjë e respektit ndaj zgjedhësve.
Këto forume synojnë të forcojnë demokracinë pjesëmarrëse, të promovojnë debate të hapura dhe të ndershme, dhe të ndihmojnë qytetarët të krahasojnë ofertat politike përpara se të votojnë më 11 maj.
Ndiqni forumin e Elbasanit këtu: https://youtu.be/tp7JBGXTK6w?si=oXPTj-S7XymbCzPv
Zgjidh me mendje, jo me zakon!
Zgjedhjet janë më 11 maj – voto me dije, jo me dyshim!