Forumi Publik POP Fier 2025

Më 30 prill 2025, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në qytetin e Fierit u zhvillua Forumi Publik “Përballja e Ofertave Politike”, i organizuar nga Qendra “Epoka e Re” Fier në bashkëpunim me Rrjetin POP. Forumi kishte për qëllim të nxisë pjesëmarrjen qytetare, transparencën dhe llogaridhënien e kandidatëve për deputetë përballë komunitetit lokal.

Në forum morën pjesë rreth 65 qytetarë, përfaqësues të organizatave mjedisore, të rinj, persona nga grupet me aftësi të kufizuara, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të moshës së tretë.

Kandidatët pjesëmarrës:

Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të gjashtë partive dhe koalicioneve politike:

  • Fation Semanjaku – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
  • Elis Baba – Lëvizja Bashkë
  • Gerald Komini – Koalicioni Euroatlantik
  • Erion Muska – Nisma “Shqipëria Bëhet”
  • Frida Mavriqi – Partia “Mundësia”
  • Hava Hoxhaj – Partia Social Demokrate

Partia Socialiste, ndonëse e ftuar zyrtarisht, nuk mori pjesë në forum, çka u cilësua nga të pranishmit si një rast i humbur për transparencë dhe dialog publik. Kur përfaqësuesit politikë zgjedhin të mos përballen me qytetarët, dëmtohet procesi demokratik dhe llogaridhënia ndaj votuesve.

Temat e diskutuara dhe shqetësimet e qytetarëve:

Gjatë forumit, kandidatët prezantuan platformat e tyre politike dhe iu përgjigjën pyetjeve konkrete nga qytetarët. Temat kryesore të diskutuara përfshinë:

  • mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara,
  • përfshirjen e arsimit në programet zgjedhore,
  • ndotjen e Lumit Gjanica dhe masat e propozuara për përmirësimin e mjedisit,
  • angazhimet për rininë dhe mundësitë për punësim,
  • si dhe masat për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.

Forumi nuk shërbeu vetëm si platformë për prezantimin e programeve politike, por krijoi një hapësirë të domosdoshme për dialog të drejtpërdrejtë, me synimin për të fuqizuar një vendimmarrje të informuar dhe të përgjegjshme në prag të zgjedhjeve të 11 majit.

Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në mediat sociale të Rrjetit POP dhe Qendrës “Epoka e Re” Fier, dhe mund të rishihet në këtë link: https://youtu.be/6tnqjPquPL4?si=hSG1aqD6fufIOeMP

Zgjidh me mendje, jo me zakon!
Zgjedhjet janë më 11 maj – voto me dije, jo me dyshim!