Forumi Publik POP Korçë 2025
Më 22 prill 2025, në qytetin e Korçës u zhvillua Forumi Publik “Përballja e Ofertave Politike”, i organizuar nga organizata “Gruaja në Zhvillim Korçë” në kuadër të Rrjetit POP. Ky aktivitet kishte për qëllim të krijonte një hapësirë të hapur për dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarëve dhe kandidatëve për deputetë, në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në forum morën pjesë 65 qytetarë, përfshirë përfaqësues të OSBE/ODIHR. Forumi solli përballë qytetarëve 4 kandidatë për deputetë, përfaqësues të partive:
Kandidatët pjesëmarrës:
- Lëvizja Bashkë: z. Petro Lubonja
- Koalicioni Euroatlantik: znj. Laureta Alidinaj Besholli
- Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet: z. Klajdi Pllaha
- Partia Mundësia: z. Ilirian Agolli
Partitë kryesore të ftuara që munguan në forum ishin: Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Partia Socialiste, Aleanca Kombëtare Shqiptare dhe Partia Social Demokrate.
Temat e diskutuara dhe shqetësimet e qytetarëve:
Kandidatët prezantuan platformat e tyre zgjedhore dhe diskutuan mbi tema me rëndësi për zhvillimin lokal, si:
- zhvillimi ekonomik,
- barazia gjinore,
- përfaqësimi i të rinjve,
- transparenca dhe lufta kundër korrupsionit.
Qytetarët ngritën gjithashtu çështje të tjera me prioritet, përfshirë: mbështetjen për gratë e divorcuara dhe të dhunuara, rikthimin e të rinjve nga emigracioni, luftën kundër informalitetit, dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Forumi ndihmoi në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të qytetarëve për programet dhe angazhimet konkrete të kandidatëve. Pavarësisht mungesës së disa partive kryesore, ky aktivitet dëshmoi gatishmërinë e partive të reja për transparencë dhe përfaqësim më të ndjeshëm ndaj nevojave të komunitetit. Ne besojmë se pjesëmarrja në forume të tilla është një detyrim demokratik dhe shenjë respekti ndaj zgjedhësve.
Këto forume synojnë të forcojnë demokracinë pjesëmarrëse, promovojnë debate të hapura dhe të ndershme, dhe ndihmojnë qytetarët të krahasojnë ofertat politike përpara se të votojnë më 11 maj.
Për më shumë informacion dhe për të ndjekur forumin në Korçë, vizitoni faqen tonë të internetit dhe kanalin YouTube të POP: https://youtu.be/A_PUV7J-uQM?si=qAl4tsRJvqfEWdOb
Zgjidh me mendje, jo me zakon!
Zgjedhjet janë më 11 maj – voto me dije, jo me dyshim!