Forumi Publik POP Shkoder 2025
Më 18 prill 2025, në qytetin e Shkodrës u zhvillua Forumi Publik “Përballja e Ofertave Politike”, i organizuar nga Rrjeti POP në bashkëpunim me organizatën partnere “Intelektualët e Rinj, Shpresë” (IRSH). Ky aktivitet mblodhi së bashku qytetarë dhe kandidatë për deputetë në një hapësirë dialogu të hapur, me qëllim rritjen e transparencës dhe informimit publik në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në forum morën pjesë rreth 80 qytetarë, të cilët përfaqësonin kategori të ndryshme të shoqërisë, përfshirë të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile, profesionistë të ndryshëm dhe qytetarë të zakonshëm të angazhuar në çështje komunitare.
Kandidatët pjesëmarrës:
- Z. Tedi Kopliku – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
- Z. Gabriel Rakaj – Lëvizja Bashkë
- Z. Franc Shkëmbi – Koalicioni Euroatlantik
- Znj. Kejsi Spahia – Partia Socialiste
- Z. Amel Pervezi – Nisma “Shqipëria Bëhet”
- Z. Elvis Deda – Partia “Mundësia”
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të këtyre forcave politike mundësoi një përballje të drejtpërdrejtë të alternativave zgjedhore, duke krijuar një hapësirë të ndershme për debat dhe informim.
Temat e diskutuara dhe shqetësimet e qytetarëve:
Diskutimet u përqendruan në temat kryesore të interesit për qarkun Shkodër, përfshirë:
- Arsimin dhe lidhjen e tij me tregun e punës
- Infrastruktura rrugore dhe nevojat për investime
- Ekonomia lokale dhe nxitja e punësimit
- Potenciali i turizmit dhe sfidat për zhvillim të qëndrueshëm
- Bujqësia dhe nevoja për mbështetje të fermerëve
- Politikat e mbështetjes sociale për grupet në nevojë
Ndër shqetësimet që qytetarët ngritën më shpesh gjatë pyetjeve të drejtpërdrejta ishin: emigracioni, papunësia, arsimi cilësor, përfshirja e grave dhe të rinjve, siguria dhe transparenca në nivel vendor dhe qendror.
Angazhimet e kandidatëve dhe reagimet:
Kandidatët për deputetë mirëpritën këtë nismë dhe e vlerësuan si një mundësi të rëndësishme për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët. Disa prej tyre kanë shpërndarë pjesëmarrjen dhe angazhimet e tyre nga forumi edhe në rrjetet e tyre sociale, duke nënvizuar çështjet e ngritura dhe zgjidhjet e propozuara nga partitë që përfaqësojnë.
Mesazhi për qytetarët:
Qytetarët patën mundësinë të njihen nga afër me programet zgjedhore të partive politike, të krahasojnë ofertat e tyre dhe të kuptojnë më mirë alternativat që propozon secila forcë për të adresuar sfidat lokale. Kjo përballje e drejtpërdrejtë u konsiderua si një hap domethënës drejt forcimit të demokracisë pjesëmarrëse dhe një ushtrim konkret i të drejtës për informim.
Ndiqni forumin e plotë të Shkodrës këtu: https://www.youtube.com/watch?v=-QGYirulqT8&t=2s