Gratë në Politikë dhe Zgjedhje – Sfida të Përfaqësimit dhe Dhuna ndaj Grave në Politikë

Më 28 mars 2025, GADC organizoi tryezën e diskutimit “Gratë në Politikë dhe Zgjedhje: Sfida të Përfaqësimit dhe Dhuna ndaj Grave në Politikë”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e edukimit demokratik si dhe në fuqizimin e të vajzave për të kuptuar më mirë procesin zgjedhor, duke adresuar një aspekt thelbësor të demokracisë përfaqësuese: barazinë gjinore në politikë.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të rëndësishëm institucionalë, përfshirë z. Ilirjan Celibashi (Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve), znj. Armela Krasniqi (Kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive), znj. Vilma Shurdha (përfaqësuese nga Avokati i Popullit) dhe znj. Brunilda Menalla (përfaqësuese nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi).

Paneli kryesor mblodhi përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, përfshirë znj. Milva Ekonomi (Partia Socialiste), znj. Albana Vokshi (Partia Demokratike), znj. Brunilda Haxhiu (Partia e Lirisë), znj. Oriola Pampuri (Partia Euro-Atlantike) dhe znj. Dorina Prethi (Partia Shqipëria Bëhet).

Gjatë takimit u theksua se megjithë përparimet e arritura, gratë në Shqipëri vijojnë të përballen me pengesa të shumta për t’u përfshirë dhe përfaqësuar në politikë. Një nga shqetësimet kryesore është dhuna me bazë gjinore në politikë – një fenomen që kufizon pjesëmarrjen aktive të grave dhe deformon proceset demokratike.

Tryeza ofroi një hapësirë të rëndësishme për dialog ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve, shoqërisë civile dhe partive politike. Diskutimet u fokusuan në identifikimin e formave të dhunës ndaj grave në politikë, adresimin institucional të rasteve, dhe mekanizmat për parandalim dhe mbrojtje.

Ky aktivitet kontribuoi në krijimin e një mjedisi të hapur dhe gjithëpërfshirës për diskutim mbi çështjet politike me aktorë të ndryshëm, përpara forumeve publike që Rrjeti POP do të zhvillojë me kandidatët për deputetë në të gjithë vendin gjate muajit Prill 2025.