Lancimi i Projektit


NJOFTIM PËR MEDIAT DHE SHTYPIN
Ceremonia e Hapjes së Projektit:
 POP 2015 – PËRBALLJA E OFERTAVE POLITIKE!
Fushatë informimi mbi platformat politike dhe forume publike gjatë Zgjedhjeve Lokale 2015
Në datën 5 Shkurt 2015, ora 15.30, në Tirane, u zhvillua ceremonia e hapjes së projektit POP 2015.

Kohët e fundit, organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri kanë ndërmarrë shumë iniciativa për rritjen e pjesëmarrjes së publikut ne vendimarrje përmes krijimit të mekanizmave konkrete të dialogut ndërmjet qytetarëve dhe autoriteteve lokale për të avokuar dhe monitoruar angazhimet në interes të publikut të gjerë. Edhe pse këto iniciativa kanë rezultuar shumë efektive, dhe përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile për t’i përhapur ato kanë qenë të shumta, është e nevojshme përfshirja e një numri më të madh aktoresh në këto procese, në të mirë të konsolidimit të demokracisë dhe forcimit të shtetit ligjor në vend.

Proceset zgjedhore janë mundësi e shkëlqyer për të rritur pjesëmarrjen e publikut në vendimarrje dhe kërkesat e tij ndaj kandidatëve politikë për të mundësuar që këta të fundit të orientojnë programet e tyre politike ndaj nevojave dhe prioriteteve të qytetarëve.

Duke qenë se jemi ne një vit elektoral, rrjeti i organizatave të shoqërisë civile, me mbështetjen e Olof Palme International Center Shqipëri (“OPIC”), dhe mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze, ka ndërmarrë realizimin e një projekti për zgjedhjet lokale 2015; “POP 2015 – Përballja e Ofertave Politike”, inicitaivë kjo që ka për qëllim nxitjen e pjesëmarrjes dhe angazhimit të qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale 2015.

Kjo nismë synon mobilizimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve dhe grave, për të identifikuar nevojat dhe prioritetet e komuniteteve në qytetet, Tiranë, Kamëz, Kukës, Shkodër, Vlorë, Durrës, Pukë, Lezhë, Fier dhe Korçë, përmes organizimit të fokus grupeve të ndryshme me qytetarë.

Prioritetet e dala nga takimet do të jenë objekt i një “Kontrate Sociale” që do të nënshkruhet në çdo qytet, ndërmjet qytetarëve dhe kandidatëve të secilës parti politike që garojnë për zgjedhjet lokale 2015.

Detyrimet e ndërmarra nga kandidatët politikë sipas kontratës sociale do të jene objekt i monitorimit nga partnerët e projektit, pas përfundimit të proçesit zgjedhor.

Nënshkrimi i kontratës sociale do të bëhet në 10 forumet  publike që do të organizohen në qytetet e projektit me pjesëmarrjen e qytetarëve, veçanërisht të rinjve dhe grave, dhe politikanëve. Forumet publike do të paraprihen me publikimin e dokumenteve të platformave politike të partive garuese si dhe lajmeve zgjedhore në një faqe interneti online dhe në rrjetet sociale dedikuar projektit.

Në këto forume publike, kandidatët dhe përfaqësuesit e forcave politike do të kenë mundësinë për të prezantuar programet e tyre, të mbrojnë avantazhet e këtyre programeve dhe për të dialoguar me pjesëmarrësit – të rinj, gra, qytetarë, shoqëria civile, dhe aktorë të tjerë, të cilët pasi janë njohur më pare me platformat politike do të ketë mundësinë për të bashkëvepruar direkt me kandidatët, t’i drejtojnë atyre pyetje të veçanta, ose të kërkojnë sqarime për çështje të caktuara.

Forumet do të jenë publike me rreth 120 pjesëmarrës per cdo takim; të hapura për mediat edhe për transmetim live. Debatet do të filmohen dhe do të shfaqen më tej në kanalin e dedikuar projektit në Youtube. Moderatori në këto forume do të jetë Z. Blendi Salaj, i cili është një gazetar i njohur dhe aktivist i shoqërisë civile prej shume vitesh.

Organizatat partnere ne projekt:

Shoqata për Integrimin e Zonave Informale

CRCA Shqipëri / Lidershipi i të Rinjve të Tiranës

Lëvizja Mjaft!

Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile Durrës

Organizata Epoka e Re

Intelektualët e Rinj, Shpresë

Komiteti Rinor Lezhë

Qendra Lëvizja Rinore Pukë

Qendra për Progres Rinor

Qendra Rinore Vlorë

Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin