Monitorimi i Mbledhjeve të Këshillit të Bashkisë Korçë
26 qershor 2024: Gruaja në Zhvillim Korçë vazhdon monitorimin e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak.
Ditën e mërkurë, datë 26 qershor, u zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak Korçë, ku mes shumë debateve dhe diskutimeve u miratuan:
- 66 familje do të vazhdojnë të përfitojnë ndihmën ekonomike 6% e fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike dhe nga fondi i buxhetit vendor, për periudhën 1 – 31 maj 2024. Fondi i vënë në dispozicion për këto familje për muajin maj është 239,090 lek si 6% e fondit të kushtëzuar. Po nga ky fond, 27 familje do të përfitojnë kompensim të energjisë elektrike në shumën 31,536 lek dhe nga ky fond i buxhetit vendor sipas kritereve specifike miratohen 22 familje me fondin prej 755,521 lekësh.
- U miratua subvencionimi i qirasë për familjet e pastreha, përfitues i së cilit është vetëm një e moshuar e vetme, për të cilën 85% e pagesës së qerasë do të mbulohet nga ky Program, si dhe u miratuan 2 familje që përfitojnë blerjen e shtëpive nga programi social i strehimit “ Subvencionim i interesave të kredisë”.
- U miratua gjithashtu pika “Mbi rishpërndarjen e banesave sociale me qira”, ku dy familje të futura në listën e trajtimit nga bashkia, do të jenë përfituese të këtyre banesave.
- U miratua pas pyetjesh dhe diskutimesh draft dokumenti “Vlerësimi i riskut nga fatkeqësitë në nivel vendor” për 6 risqet më të mëdha të vlerësuara nga specialistët.
- Nuk u arrit në miratimin e “Programit buxhetor afatmesëm 2025-2027, faza e parë”, si dhe u kërkua marrja e masave për fillimin e konsultimeve publike për dokumentin e këtij Programi që do të votohet nga Këshilli.
- Këshilltarët u informuan mbi raportin përfundimtar të auditimit të KLSH-së për periudhën 01.01.2022- 31.12.2022.