Pjesëmarrje në Dëgjesën Publike nga Ujësjellës Kanalizime Vlorë
Më datë 15 shtator Qendra Rinore e Vlorës u bë pjesë e dëgjesës publike nga Ujësjellës Kanalizime Vlorë, për ndryshimin e nivelit të tarifave të furnizimit me ujë dhe kanalizime. Dëgjesa e moderuar nga stafi i UK Vlorë, mblodhi përfaqësues të Këshillit Bashkiak, qytetarë e banorë të qytetit dhe njësive administrative përreth, përfaqësues nga Enti Rregullator i Ujit dhe KFW si dhe përfaqësues të Qendrës Rinore Vlorë. Në pjesën e parë të dëgjesës u prezantua një përmbledhje të gjendjes ku ndodhet shoqëria, ku borxhi i saj ndaj palëve të tjera përllogaritet rreth 1.3 milion euro, ndërsa u theksua se rreth 92% e territorit mbulohet me furnizimin me ujë të pijshëm dhe në rreth 66% të territorit ndodh largimi i ujrave të ndotura. U theksua se shumë nga asetet e shoqërisë janë të konsumuara dhe jetëgjatësia e tyre është më shumë se 30 vjet. Ndërsa ndërrmarja faturon me cmim më të ulët se kostua e shërbimit që marrin qytetarët. Ndaj shtrohet nevoja për ndryshim të nivelit tarifor, ku tarifat e reja të propozuara për furnizimin me ujë të pijshëm mendohet të shkojnë nga 45 lek në 60 lek/m2 për qytetarët dhe nga 100 lek në 133 lek/m2 për bizneset.Në takim qytetarët kërkuan rritje të kohëzgjatjes së furnizimit me ujë (zona që furnizohen 2 orë ne ditë, ndërsa ka fshatra që furnizohen 1 herë në dy ditë me ujë) dhe cilësisë së shërbimit duke kërkuar administrim më të mirë të shoqërisë përmes uljeve të shpenzimeve të tepërta. Gjithashtu ata theksuan dhe ndalimin e derdhjes në det të ujrave të zeza. U kërkua që projektet e investimeve në ujësjellës që financohen nga qeveria qendrore, të përfundojnë dhe të mos ketë vonesa. Mjaft nga shqetësimet e banorëve, sidomos nga njësitë administrative u përcollën në takim si pjesë e punës monitoruese të Kontratës Sociale.