Pjesëmarrje në Mbledhjen e Këshillit Bashkiak Korçë

25 prill 2024: U zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak për muajin prill.

U diskutuan dhe u paraqitën për miratim relacionet e përgatitura nga Komisionet përkatëse mbi dhënien e ndihmës ekonomike nga 6% e fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike dhe nga fondi i buxhetit vendor, mbi subvencionimin e qirasë për familjet e pastreha, mbi miratimin e familjeve që përfitojnë grantin e menjëhershëm në banesat me kosto të ulët nga buxheti i shtetit, si dhe mbi miratimin e familjeve që përfitojnë nga programi social i strehimit subvencionim i interesave të kredisë.

U miratua fondi prej 239,260 lekësh si 6% e fondit të kushtëzuar e vënë në dispozicion për këto familje për muajin mars. Nga ky fond përfitojnë 58 familje me shumën 214,641 lek, 28 familje përfitojnë kompensim të energjisë elektrike në shumën 33,472 lek, si dhe 17 familje përfitojnë ndihmë ekonomike nga fondi i buxhetit vendor me një fond 60,709 lekësh. Gjithashtu, u miratuan edhe 18 familje përfituese të grantit të menjëhershëm në banesat me kosto të ulët nga buxheti i shtetit, si dhe 2 individë të vetmuar u bënë përfitues bonus qiraje.

Pika e fundit e rendit të ditës solli në vëmendje disa mangësi të konstatuara në lidhje me njoftimet e këshilltarëve për kryerjen e konsultimeve publike në zona të caktuara. Çështje të tjera që hapën debate dhe diskutime ishin ruajtja e sigurisë së qytetarëve nga katërputroshat, sinjalistika dhe vijëzimi i rrugëve brenda dhe jashtë qytetit, trajtimi i materialeve të rrezikshme me përmbajtje asbesti, rregullimi i rampave të trotuareve të qytetit dhe rishikimi i pjesës së buxhetit për vitin 2024, që lidhet me aktivitetin e këshilltarëve në shërbim të komunitetit.