Prezantimi i Raportit te 4 Monitorues te Kontrates Sociale 2019-2023 dhe Kontrata Sociale 2023-2027 POP Vlorë

Më datë 1 mars 2024, në Pallatin e Kulturës “Labëria” të Vlorës, u zhvillua takimi i prezantimit të gjetjeve të raportit të katërt të monitorimit të Kontratës Sociale 2019-2023 dhe prezantimi i kontratës për periudhën 2023-2027, me pjesemarrjen dhe angazhimin nga organizatat lokale, të rinjtë, gazetarët dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte prezantimi i raportit monitorues për vitin 2022-2023, ku u theksua se Kontrata Sociale arriti të adresojë ne total 76% të prioriteteve të saj gjatë vitit të fundit monitorues. Pjesëmarrësit në takim shprehën nevojën e qytetarëve për të parë projekte konkrete që fillonin dhe përfundonin brenda një mandati 4-vjeçar, në mënyrë që të sigurohej cilësia e jetës së tyre dhe aksesimi në infrastruktura të rëndësishme si uji i pijshëm, pastrimi i qytetit dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik.

Kryetari i bashkisë, z. Ermal Dredha, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e Kontratës Sociale si një instrument për të treguar përpjekjet e përbashkëta të bashkisë dhe qytetarëve për të përmirësuar cilësinë e jetës. Ai theksoi se transparenca dhe llogaridhënia janë në thelb të marrëdhënieve të tyre, duke sjellë një mënyrë të re të punës së përbashkët për zgjidhjen e nevojave të komunitetit.

Në diskutimet e takimit u adresuan sfidat për Vlorën, duke përfshirë investimet në infrastrukturë, përmirësimin e shërbimit të transportit, sigurimin e ujit të pijshëm dhe menaxhimin e mbetjeve urbane. Pjesëmarrësit u ftuan të propozonin zgjidhje dhe të ofronin vlerësime për të adresuar këto sfida në mënyrë efikase.

Në lidhje me prioritetet e reja të Kontratës Sociale për periudhën 2023-2027, kryetari Dredha bëri të ditur se puna ka filluar për të përmbushur këto qëllime, me një theks të veçantë te transparenca dhe demokracia vendore. Pjesëmarrësit e takimit u inkurajuan të ndajnë mendimet e tyre dhe të angazhohen në zbatimin e këtyre prioriteteve për të përmirësuar jetën në komunitet.

Rekomandimet dhe gjetjet e monitorimit mbi punën e Këshillit Bashkiak të Vlorës u mirëpritën nga kryetari z. Dredha dhe nën/kryetarja znj. Irena Toshkallari, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për të përmbushur qëllimet e përcaktuara në Kontratën Sociale.

Ky takim jo vetëm që u shënoi një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin ndërmjet bashkisë dhe komunitetit lokal, por gjithashtu rriti ndërgjegjësimin për sfidat dhe mundësitë për zhvillim në Vlorë.