Prezantimi i Raportit Monitorues te Kontrates Sociale 2021-2023 dhe Kontrata Sociale 2023-2027 POP Elbasan

Ne date 8.2.2024, në ambientet e Këshillit Bashkiak të Elbasanit u mbajt një takim me pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësuesve të njësive administrative, kryetarit të Këshillit Bashkiak z. Lutfi Lala, drejtorit të shërbimeve sociale dhe drejtorisë së projekteve z. Ervin Muço. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i raportit monitorues për vitin 2022-2023 për prioritetet e caktuara nga Këshilli Bashkiak për periudhen 2021-2023, si dhe prezantimi i kontratës sociale për periudhën 2023-2027 dhe angazhimi i të gjithë palëve në përmbushjen e tyre.

Në prezantimin e saj, përfaqësuesja e Shoqatës “Tjetër Vizion” përfshiu një shpjegim të shkurtër mbi procesin e monitorimit, përfshirjen e qytetarëve në lidhje me përmbushjen ose mungesën e përmbushjes së prioriteteteve, si dhe shprehjen e shqetësimeve të strukturave lokale të bashkisë.

Gjatë diskutimit, u trajtua çështja e prioriteteve të paarritura dhe angazhimi i Këshillit Bashkiak në nxitjen e bashkisë për t’i përmbushur ato dhe për t’u aprovuar nga Këshilli Bashkiak. U theksua rëndësia e prioriteteve që ndikojnë në të gjithë komunitetin e Elbasanit, siç janë mjedisi dhe pastrimi i tij, uji i pijshëm, transporti publik, si dhe investimet në shkolla dhe mjediset e argëtimit për fëmijët dhe të rinjtë.

Të gjithë pjesëmarrësit u pajisen me kopje të raportit monitorues dhe kontratës sociale të re. Kryetari i Këshillit Bashkiak në fjalën e tij theksoi prioritetin e shtresave me te prekshme, si gratë, fëmijët dhe të rinjtë dhe angazhimi i bashkise per adresimin e tyre sipas Kontrates Sociale 2023-2027.

Po ashtu u prezantua prioriteti 1, pika 5 “Zyrat e NJA të shërbejnë edhe si zyra informimi për çdo ndryshim ligjor apo udhëzim ose vendim të Këshillit Bashkiak që prek drejtpërdrejt interesat e qytetarëve”, mbi të cilën do të lobohet për përmbushjen e saj nga të gjitha njësitë administrative brenda vitit 2024.