Rrjeti POP Merr Pjesë në Tryezën e Diskutimit: “Çfarë duhet të bëjë KQZ për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve 2025?”

9 korrik 2024: Kolegët e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim përfaqësuan rrjetin POP në Tryezën e Diskutimit: “Çfarë duhet të bëjë KQZ-ja për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve 2025”. Kjo tryezë u organizua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të partive politike, të organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare të përfshira në zgjedhje.

Objektivi kryesor i takimit ishte identifikimi dhe diskutimi i çështjeve që ndikojnë në administrimin e duhur të procesit zgjedhor 2025, të cilat, për momentin, duken më pak të mundshme për t’u trajtuar nga procesi i reformës zgjedhore në vazhdim.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi tha se qëllimi i këtij takimi është të hapim diskutimin në lidhje me çështje të cilat KQZ mund t’i adresojë në mënyrë të pavarur nga ndryshimet ligjore që do të bëjë Kuvendi i Shqipërisë.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u bëri thirrje aktorëve politikë ta bëjnë reformën zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, në mënyrë që t’u lejojnë organeve të administrimit të zgjedhjeve kohë të mjaftueshme për zbatim.

Pjesëmarrësit në takim diskutuan problematika të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e një sistemi efektiv komunikimi ndërmjet KQZ-së dhe organeve ligjzbatuese, administrimin dhe vëzhgimin e proceseve të votimit dhe numërimin e votave në vendet e numërimit e votave, raportimin e institucioneve publike në KQZ, trajnimin e komisionerëve të niveleve më të ulëta, përdorimin e burimeve publike në fushatë, etj.

Përfaqësuesit nga parti të ndryshme dhe organizata të shoqërisë civile patën mundësinë të propozojnë masa të zbatueshme për të adresuar sfidat e identifikuara.