THIRRJE PËR TU BËRË PJESË E RRJETIT POP – PËRBALLJA E OFERTAVE POLITKE

PSE KJO THIRRJE?

Përballja e Ofertave Politike (POP) është një rrjet i organizatave të shoqërisë civile i cili synon të rrisë debatin publik dhe informacionin te qytetarët mbi platformat elektorale të partive dhe kandidatëve para, gjatë dhe pas zgjedhjeve vendore dhe qëndrore, si dhe orientimin e këtyre platformave drejt nevojave dhe prioriteteve të qytetarëve. Përmes aktiviteteve dhe projekteve, rrjeti POP synon të forcojë zërin e qytetarëve Shqiptarë në çështje të demokracisë, duke nxitur transparencën dhe llogaridhënien gjatë zgjedhjeve dhe periudhës pas tyre.

Rrjeti ka zbatuar në mënyrë të suksesshme projekte përgjatë Zgjedhjeve Parlamentare 2013, Zgjedhjeve Lokale të vitit 2015, Zgjedhjeve Parlamentare 2017 dhe përsëri gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2019, ku me 9 kryetarë bashkie në bashkitë e Tiranës, Kamzës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Shkodrës, Kukësit, Pukës dhe Pogradecit, kemi nënshkruar kontratën sociale me priorite për qytetarët në nivel lokal. Përgjatë vitit 2020 anëtarët e rrjetit kanë monitoruar në mënyrë të ngushtë punën e bashkive dhe vendimet e këshillave bashkiakë për përmbushjen e prioriteteve të Kontratave Sociale.

Një prej synimeve të Rrjetit POP është shtrirja e tij edhe në bashki të tjera, duke afruar organizata lokale të shoqërisë civile, të cilat do të ndjekin të njëjtin mekanizëm siç është Kontrata Sociale për të rritur më shumë përgjegjësinë dhe transparencën e qeverisjes vendore. Për këtë arsye nxjerrim këtë thirrje të hapur për 3 organizata të shoqërisë civile që dëshirojnë ti bashkohen Rrjetit POP dhe nismave të tij.

Gjatë vitit 2021 rrjetit POP zbaton projektin “Kontrata Sociale si një mjet për forcimin e marrëdhënieve të komunitetit me qeverisjen” me mbështetjen financiare të Olof Palme International Center.

KUSH MUND TË APLIKOJË?

  1. Organizatat e Shoqërisë Civile në nivel lokal në bashkitë Elbasan, Korçë dhe Vau i Dejës me eksperiencë në projekte që kanë të bëjnë me forcimin e demokracisë vendore dhe përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje.

Synimet e Rrjetit POP në vitin 2021:

  • Forcimi dhe rritja e kapaciteteve të anëtarëve të rrjetit POP;
  • Zgjerimi i Rrjetit edhe në tre bashki të tjera;  
  • Forcimi i marrëdhënive midis qytetarëve, rrjetit POP dhe aktorëve të tjerë në shoqëri;
  • Monitorimi, raportimi dhe mbajtja përgjegjës e zyrtarëve në nivel vendor për të përmbushur kontratën sociale të përgatitur nga anëtarët e POP-it në secilën bashki;
  • Përpilimi i Kontratave Sociale me prioritete thelbësore dhe lobimi dhe avokimi i tyre pranë deputetëve të zgjedhur të 25 prillit;
  • Përfshirja e Buxhetimit me Pjesëmarrje si një mjet ndihmë në monitorimin e Kontratave Sociale.

Vendi dhe kohëzgjarja e propozuar: Projekti do të zbatohet në nivel lokal në të gjitha bashkitë e sipërpërmendura gjatë periudhës Prill 2021 – 31 dhjetor 2021.

KRITERET E VLERËSIMIT

Të gjithë pjesëmarrësit do të vlerësohen mbi mundësinë dhe kapacitetet e tyre për të pasur një ndikim të prekshëm në rritjen e tranpsarencës dhe demokracisë në nivel lokal. Secila organizatë do të vlerësohet në bazë të kritereve të mëposhtme të përzgjedhjes:

  1. Kapacitetet organizative/grupeve
  2. Kapacitetet organizative dhe administrative; 
  3. Përvoja në lidhje me rritjen e transparencës dhe demokracisë në nivel lokal dhe rezultatet në fushat e ngjashme;

DOKUMENTET QË DUHET TË DORËZOHEN

  1. Letër motivimi për tu bashkuar me rrjetin POP;
  2. Një CV e detajuar e organizatës, që përshkruan misionin, vizionin dhe objektivat kryesore të saj;
  3. Dokumentet ligjore që sigurojnë regjistrimin e organizatës (në rastin e OJQ-së);
  4. Dëshmi të eksperiencave të mëparshme në aktivitetet në lidhje me rritjen e transparencës dhe demokracisë në nivel lokal në territorin ku veproni.

DATAT E APLIKIMIT

Data e fundit për aplikim është 5 prill 2021, ora 17.00. Data e njoftimit për organizatat / subjektet e përzgjedhura është 7 Prill 2021. Aplikimet që kërkojnë sqarime dhe informacion shtesë në lidhje me thirrjen, ftohen t’i dërgojnë me e-mail në: [email protected]

Përballja e Ofertave Politike – POP, është një nismë  e rrjetit të organizatave të shoqërisë civile shqiptare mbështetur nga Olof Palme International Centre në kuadër të një programi të financuar nga Suedia: “Shoqëria Civile, Pjesëmarrja Qytetare, Llogaridhënia dhe Ndryshimi Social” si dhe nga “The National Endoëment for Democracy”. Anëtarët e Rrjetit POP janë organizatat si më poshtë:

  • Qendra Aleanca Gjinore per Zhvillim, Tiranë;
  • Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, Durrës; 
  • Qendra Rinore Vlorë;
  • Shoqata për Integrimin e Zonave Informale, Kamëz;
  • Epoka e Re, Fier;
  • Intelektualët e Rinj Shpresë, Shkodër;
  • Lëvizja Rinore për Demokraci, Pukë;
  • Qendra Rinore për Progres, Kukës; 
  • Rinia për Integrim, Aktivizim dhe Sensibilizim, Progradec.